Kati Piri, eurodeputetja që tashmë zëvendësoi sot në mbledhje raportuesin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, tha se nuk ka arsye për të vonuar vendimin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi këto dy vende siç ajo theksoi i kanë plotësuar kriteret dhe progresi i bërë prej tyre duhet të vlerësohet.
"Unioni duhet të vijojë përpara me premtimet që ka bërë. Çdo shtet duhet të vlerësohet sipas meritave dhe progresit që ka bërë. Kemi parë progres të rëndësishëm, sidomos marrëveshja që zgjidhi ngërçin për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendet e BE duhet të marrin vendim, shpresoj që grupi im parlamentar të mbështesë hapjen e negociatave me këto dy vende, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Nuk shohim asnjë arsye për të vonuar këtë vendim duke qenë se kriteret nga dy vendet janë plotësuar dhe për këtë arsye duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut", u shpreh eurodeputetja.