Një efektiv policie, student për gradë në Akademinë e Sigurisë (Fakulteti i Hetimit dhe Krimit), u tentua të merret peng nga tre persona, të njohur për të, por arriti të shpëtojë duke marrë armën e njërit prej autorëve, të cilin e la të plagosur me plumb në bark. Ngjarja ndodhi pranë një lokali, që ndodhet përpara Akademisë së Sigurisë në zonën e Saukut, në periferi të Tiranës. Shkak për këtë ngjarje mësohet të jetë bërë një borxh i vjetër që vëllai i punonjësit të policisë i kishte marrë personave që kërcënuan me armë efektivin për ta marrë peng.
Efektivi i policisë, nëninspektor Ndue Ndoj 25 vjeç u largua nga vendi i ngjarjes së bashku me autorët e tjerë, ndërsa i plagosuri Ervis Murati 27 vjeç, u transportua në spital ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndue Ndoj, u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku mësohet se tashmë hetimin e çështjes e ka marrë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.