KQZ i refuzoi komisionerët, PD LSI ankimojnë vendimin në Kolegjin Zgjedhor

2019-05-30 0

Vendimi i datës 23 Maj i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me numër 657 për mosregjistrimin e anëtarëve të KZAZ-ve për PD dhe LSI ka bërë që subjektet politike ti drejtohet Kolegjit Zgjedhor pranë gjykatës së Apelit Tiranë, duke kërkuar shfuqizimin e këtij vendimi. Në kërkesë padi që Report TV ka siguruar, LSI është subjekti politik që kundërshton këtë vendim dhe PD është person i tretë.

Në këtë kërkesë të paraqitur nga LSI argumentohen dhe arsyet që hedhin poshtë vendimin e marrë nga KQZ, ku në nenin 29 të kodit zgjedhor pika 4, thuhet se në rastin e zgjedhjeve vendore, renditja përcaktohet mbi bazën e numrit të votave të fituara në shkallë vendi për këshillat vendor në zgjedhjet pararendëse nga partitë parlamentare.

Por në vendimin e saj KQZ argumenton se dy partitë politike që kanë paraqitur kërkesën për emërimin e anëtarëve dhe sekretarëve të KZAZ-ve LSI dhe PD, nuk konsiderohen subjekte zgjedhore e për pasojë nuk kanë interes të ligjshëm për zgjedhjet vendore. Por duke parë përbërjen e KZAZ-ve pika 1 e kodit zgjedhor, parashikohet se 2 anëtarë propozohen nga partia kryesore e shumicës parlamentare, 2 anëtarë propozohen nga partia kryesore parlamentare në këtë rast PD dhe një anëtar propozohet nga partia e dytë e shumicës parlamentare në këtë rast LSI dhe një anëtar nga partia e dytë opozitare. Anëtari i 7-të propozohet në gjysmën e KZAZ-ve nga partia e shumicës parlamentare, kurse gjysma tjetër nga partia e parë e opozitës parlamentare.

I takon Kolegjit Zgjedhor që të marrë vendimin nëse dy partitë opozitare do të mund të emërojnë anëtarë në KZAZ për zgjedhjet e 30 qershorit