Ishministri i Brendshëm Flamur Noka dhe 5 ish-deputetë të tjerë të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, Gent Strazimiri, Klevis Balliu, Xhemal Gjunkshi dhe Artan Frrokaj, janë vënë në hetim nga Prokuroria e Tiranës, pasi kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë. Bëhet fjalë për mbrëmjen e 16 shkurtit 2019, kur pas protestës së dhunshme që opozita jo parlamentare mbajti tek Kryeministria, ish-deputetët mësynë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, për të kërkuar sërish me dhunë, lirimin e militantëve që u shoqëruan nga uniformat blu pas akteve të dhunshme gjatë tubimit.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, ka kryer hetime duke ngritur akuzë për veprën penale të "kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik, kryer në përdorim të dhunës dhe në bashkëpunim, sipas nenit 236/2 te Kodit Penal. Për këtë vepër Kodi Penal parashikon nga gjobë deri në 7 vite burg.
Ish-deputetët e Partisë Demokratike, u futën me forcë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ku mbaheshin të shoqëruar disa protestues, dhe nisin të përplasen fizikisht me efektivët e policisë. Në një veprim të paprecedentë, ish-deputeti Flamur Noka, i cili gjatë qeverisjes së PD-së ka qenë edhe ministër i Brendshëm, tërheq me forcë nga koka një nga efektivët që po mundoheshin të mos lejonin ish-deputetët të hynin forcërisht në zyrën e drejtorit. Asnjë nga ish-deputetët nuk reagojnë.
Noka është përleshur fizikisht me efektivin, duke i vënë atij duart në fyt. Në video dëgjohen thirrjet ?Hiqi duart", "Mos e prek deputetin" "Do t?ju zhduk?. E gjithë skena ka ndodhur përpara kamerave të televizioneve, por nga një video e re nga kamerat e sigurisë së Policisë, duket ekzaktësisht kur Noka tërheq me forcë nga fyti efektivin brenda ambjenteve të policisë.