Dhënia e 7 lejeve ndërtimore në bregdetin e Kavajës, ka bërë që prokuroria e këtij qyteti të nisë hetimet për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja dhe dy vartësit e tij Dëshira Qaton dhe Dritan Kazazin. Tre zyrtarët prej dy javësh po verifikohen për akuzën e ?Shpërdorimit të detyrës?, pasi Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, ka arritur të konstatojë parregullshmëri në 7 leje ndërtimore.
Lajmi për nisjen e veprimeve hetimore konfirmohet nga prokuroria e Kavajës, e cila nëpërmjet një shkrese, i është drejtuar bashkisë së qytetit që të verë në dispozicion të gjithë praktikën e lejeve të ndërtimit që janë miratuar nga kryebashkiaku Isa Sakja dhe dy vartësit e tij Dëshira Qato me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave dhe Dritan Kazazi me detyrë Kryeinspektori i IMT-së në Bashkinë Kavajë. ?Momentalisht çështja është në fazën e mbledhjes së dokumentacionit dhe pasi të kryhet administrimi i letrave, atëherë do procedohet me marrjen në pyetje të personave që po verifikohen?-tha një burim pranë prokurorisë së Kavajës.
Indicie për këtë hetim të nisur nga prokuroria e Kavajës është bërë një kallëzim penal i datës 15 prill 2019 nga drejtoresha e IKMT-së Dallëndyshe Bici, inspektorët e të cilës në terren kanë konstatuar nisjen e punimeve në zonën e bregdetit. Këto punime kanë nisur me qëllim ndërtimin e hoteleve shumëkatëshe në bregdetin e Kavajës, por ka dyshime të forta se mund t?i ndryshohet destinacioni godinës, duke e kthyer në pallat. Kjo pasi sipas kallëzimit të Dallëndyshe Bicit, këto ndërtime duhet të monitorohen hap pas hapin, me qëllim verifikimin e zbatimit të lejës së ndërtimit të miratuar nga bashkia Kavajë.