Igli Tare: Nje dite do te kontribuoj per futbollin shqiptar

2019-05-30 2

Igli Tare ishte i ftuari i fundit i natës finale të spektaklit "Në Kurthin e Piter Pan" në Tv Klan. Ai u është përgjigjur pyetjeve të vogëlushëve dhe ka folur për Kombëtaren Shqiptare. Shpreson që një ditë të kontribuojë për futbollin shqiptar, tha Tare, ndërsa uroi edhe Partizanin për titullin kampion në Kategorinë Superiore.

Pyetje: Ti pse ike deri në Itali, mund të punoje edhe këtu me Kombëtaren?
Igli Tare: Unë e kam thënë gjithmonë që jam shumë i lidhur me kombëtaren, me ngjyrat tona kuqezi. E kam dëshirën time shumë të madhe që një ditë ndoshta do të jem pjesë e kontributit për ta rritur akoma më lart futbollin shqiptar.

Pyetje: A të pëlqen futbolli që po luhet tani në Shqipëri?
Igli Tare: Mua më pëlqen që Partizani u bë kampion. Sepse unë kam luajtur kur kam qenë fëmijë i vogël dhe për herë të parë ndeshjen time të parë profesioniste e kam bërë në Shqipëri me ngjyrat e Partizanit.

Pyetje: Unë shoh që je shumë i gjatë. Pse nuk je bërë basketbollist dhe je bërë futbollist.
Igli Tare: Edhe unë kam një sekret timin të vogël. Kur kam qenë në moshën tuaj e kam nisur te një shkollë në Tiranë që quhet "Avni Rustemi" dhe ajo ka qenë shkollë basketbolli. Dhe deri në moshën 15-vjeçare unë bëja dhe futboll dhe basketboll. Po më në fund vendosi zemra dhe unë zgjodha të bëja futboll.

Pyetja: Kush është kujtimi më i bukur që ke nga Kombëtarja Shqiptare?
Igli Tare: Kujtimi më i bukur është ndeshja e parë, sepse ka qenë gjithmonë ajo ëndrra e një fëmije të vogël që çdo natë kur flija mendoja që do ta kisha këtë mundësi të përfaqësoja vendin tim. Dhe momenti më i bukur ka qenë ajo, dhe më i madhi ka qenë fitorja që Shqëpëria ka bërë në atë kohë kundër Greqisë kampione të Europës.