Edhe pse pranon vetë se nuk ka ngelur shumë për t'u thënë, Edi Rama i ka adresuar letrën e tij të 6-të publike Lulzim Bashës. Kryeministri i përsërit ftesën për dialog pa kushte dhe nënvizon mospranimin e mundësisë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale apo largimin e tij përpara se t'i mbarojë mandati 4-vjeçar që ka marrë në 2017.
"Zoti kryetar, letrave të mia po i vjen fundi. E fundit për të tentuar Dialogun është edhe kjo javë, e cila mbyllet me çeljen zyrtarisht të fushatës së 30 Qershorit. Unë Ju ftoj përsëri që sa pa u djegur çdo afat kohor, të nisim Dialogun pa kushte dhe të fillojmë të shkruajmë bashkarisht, një faqe të re bashkëpunimi politik duke mos humbur më tej kohë, energji, mundësi zgjidhjeje, me këtë avaz të padobishëm për vendin, për njerëzit e për opozitën po se po! Jini i sigurtë zoti Lulzim se zgjedhjet do të mbahen në 30 Qershor. Kjo shumicë qeverisë do të vazhdojë të ushtrojë përgjegjësinë e saj edhe për të paktën dy vjet të tjera, kur i mbaron mandati i saj legjitim".
Rama ka renditur sërish akuzat se opozita po pengon çeljen e negociatave nga frika e zgjedhjeve dhe reformës në drejtësi. E në këtë pikë ai deklaron se do të vijojë Vettingu dhe Reforma në Drejtësi pa asnjë mundësi për t'u rishikuar pa patur konsensusin e partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Tv Klan