Report TV -Letër të 6 Bashës/ Rama: Java e fundit për tentuar dialogun

2019-05-30 0

Me një ftesë të përsëritur për dialog për herë të gjashtë përmes një letre publike e nis kryeministri Edi Rama, thirrjen e radhës për liderin demokrat Lulzim Basha. Rama thekson se kjo është java e fundit për të nisur dialogun, pasi siç theskon ai, letrave do i vijë fundi me nisjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Përmes një përmbledhje prej pesë pikash, kryeministri fton kryedemokratin të nisin dialogun për zgjidhjen e krizës politike para se të jetë shumë vonë. Rama i kujton Bashës situatën e vitit 2017 kur opozita doli në rrugë për shkak se i trembej votimit të reformës në drejtësi.

Ai bën një paralelizëm të asaj situate me të tanishmen kur frika e radhës e opozitës- vijon Rama- është frika nga zgjedhjet dhe paniku nga drejtësia duke pretenduar se populli na qenka në duart e një tiranie, kur në fakt drejtohet nga një shumicë e zgjedhur demokratikisht.

Rama thekson se dialogu duhet të nisë pa u djegur akoma çdo afat kohor për të shkruar bashkarisht një faqe të re bashkëpunimi politik për të mos humbur kohë me këtë avaz të padobishëm për vendin por edhe për opozitën.

Kryeministri kujton se data e zgjedhjeve nuk do të ndryshojë dhe se reforma në drejtësi nuk do të rishikohet, nëse për këtë nuk do të ketë dakordësi ndërkombëtarësh.

Ai e mbyll letrën me një apel për konsensus politik në favor të procesit të hapjes së neogociatave për vendin tonë, pasi siç shton ai, nëse pengohet ky proces asnjë demokrat nuk për t'ja falur.