Arba Kokalari, e para shqiptare eurodeputete

2019-05-30 5

Kështu e priti triumfin në zgjedhjet europiane Arba Kokalari, e para deputete me origjinë shqiptare që do të ulet në Parlamentin Europian. 32-vjeçarja shqiptare kryesonte listën e Partisë së Moderuar të Suedisë, pjesë e qendrës së djathtë që fitoi 17.6 % të votave, duke siguruar 4 eurodeputetë.

Suksesin e fitores ajo e ndau menjëherë në rrjetet sociale, ku shprehu mirënjohje për mbështetësit.

"Të moderuarit marrin një mandat të katërt dhe unë kam hyrë në Parlamentin Europian! Faleminderit të gjithëve që kanë luftuar për të moderuarit dhe për mua".

Prej muajsh Arba ishte përfshirë në fushatë zgjedhore dhe një vëmendje të veçantë ia kushtoi komunitetit shqiptar në Suedi, duke premtuar se do të jetë një zë i fortë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

E lindur në Tiranë, më 27 Nëntor të vitit 1986, Arba Kokalari, mbesa e intelektuales, disidentes dhe atdhetares së njohur Musine Kokalari, emigroi në Suedi në vitin 1992, kohë kur babai i saj u emërua ambasador i Shqipërisë në vendet nordike.

Ajo ka mbajtur postin e Sekretares Ndërkombëtare të Forumit Rinor të Partisë së Moderuar, pjesë e së cilës është prej moshës 16-vjeçare dhe ku ka qenë prej vitesh ndër figurat më të spikatura. Arba Kokalari është diplomuar në Të Drejtë Ndërkombëtare dhe Politikë Europiane në Universitetin e Stokholmit.

Tv Klan