Vetëm 7 km nga Korça ndodhet fshati Boboshticë. I cilësuar si një destinacion i rëndësishëm turistik, me një natyrë të mrekullueshme me ajër dhe ujëra të pastra, e me një terren të pasur që të jep mundësinë e një sërë aktivitetesh rekreative dhe sportive, është lënë në harresë, duke bërë që vitet e fundit të braktiset masivisht nga të rinjtë.
Dikur ky atraksion tërheqës për turisë vendas dhe të huaj numëronte 2700 banorë, e sot ky numër është ulur ndjeshëm, duke shkuar në 100.
I braktisur pothuajse tërësisht nga mosha e re, në rrugët e këtij fshati shikojmë vetëm të moshuar që ndihen të vetmuar, të përmalluar për fëmijët e tyre, e të pashpresë se ata mund të kthehen një ditë në vendin e tyre të lindjes. Sipas tyre faj i këtij largimi dhe braktisjes së fshatit është papunësia.
Në çdo shtëpi dy pleq gjen nuk ka të rinj. Po nuk ka punë se po të ketë punë asnjë njeri nuk ikën nga vendi i tij, ka si vendi jot. Edhe ne duan të na marrin por nuk ikim se na dhimbset shtëpia se të gjithë ata qe janë larguar u është bërë shtëpia gërmadhe.
Të gjendur përballë papunësisë,vështirësive për të përballuar jetesën, brezi i ri ka zgjedhur të largohet duke parë si të vetmin shpëtim emigracionin.
Humbja e shpresës dhe besimit se vendi i tyre një ditë mund të ju japë mundësi për të ardhmen, i ka detyruar ata që të lënë gjithçka dhe të largohen pa kthyer kokën pas.
"Kisha nipërit kisha djemtë e kisha plot shtëpinë tani nuk kam asnjë njeri., e kisha vendin të gjithë gjallëri. Ata më sjellin lekë mua për të blerë ilaçe. Ne punonim më përpara me dele. U detyruan dhe ikën djemtë. Më vjen për të qarë jo të këndoj se më iku fëmija. Është bërë jeta shumë e vështirë. Më përpara ishim të gjithë njëlloj tani është turp po nuk pate të tall njerëzia" shprehet një banorë.
Ata pak të rinj që kanë mbetur në fshat po tregojnë gjithnjë e më shumë interes, synim dhe dëshirë të për t?u larguar për të ikur diku jashtë Shqipërisë për ti krijuar vetes dhe familjes së tyre një jetë më të mirë.