Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbajtur fjalim përpara turmës së protestuesve të opozitës të mbledhur në sheshin "Dëshmorët e Kombit" para godinës së Kryeministrisë.
Gjatë fjalës së tij, Basha përsëriti disa herë mesazhin e protestuesve: "Rama ik"! Kreu i demokratëve shprehu vendosmërinë për të vazhduar aksionin e tyre deri në largimin e Kryeministrit Edi Rama, për të cilin tha se është shkaktari i krizës politike dhe vetëm dorëheqja e tij do të hapë dialogun.
Lulzim Basha: Sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj me zërin tuaj, unë dhe gjithë Shqipëria, Europa e gjithë bota, shohin dhe dëgjojnë shpresën e një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur më kurrë. Është mbushur ky shesh me kurajo, me një mesazh të prerë. E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Ky është mesazhi, kjo është aspirata, ky është misioni që i ka mbledhur shqiptarët për herë të 6-të në këtë shesh.
Standardet e Europës do të kishin diktuar me dhjetra herë largimin e Edi Ramës në këto 6 vite e gjysmë krim, korrupsion, pabesi dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë. Ndaj sot e deri sa të bëhet realitet, ka një mesazh nga populli: "Rama ik".
Unë e ndjej shpresën e re që ka lindur në zemrat tuaja dhe anembanë Shqipërisë. Unë e di se vullneti juaj është dëgjuar. Të vendosur për të mos lejuar tiraninë e krimit. Rama ik! Beteja nuk ka mbaruar. Dhe ne jemi të vendosur dhe të gatshëm të bëjmë çdo sakrificë për të mos lejuar atë orë të zezë kur monizmi kriminal shton kthetrat mbi institucionet tona. Prania jonë sonte është paralajmërimi se ne nuk lodhemi, nuk tërhiqemi, nuk dorëzohemi. Se demokracinë nuk e japim, se beteja për to është misioni më fisnik i njeriut të lirë. Rama ik!
Ditët e ardhshme, javët e ardhshme do të jenë vendimtare, përcaktuese për fatin e Shqipërisë tonë, për fëmijët e këtij vendi, për të rinjtë e këtij vendi. Ju kërkoj të vazhdojmë të jemi të gatshëm në çdo miuntë, në çdo ditë në ditët dhe javët e ardhshme për të qëndruar kështu të gatshëm dhe shpresëplotë se zëri juaj është dëgjuar. Mirënjohës për partnerët tanë që e dinë se rruga e Shqipërisë kalon vetëm përmes normave, parimeve dhe zgjidhjes europiane. Dhe zgjidhjet europiane diktojnë largimin e shkaktarit të kësaj krize si hapi i cili hap dialogun dhe i mundëson këtij vendi të përqafojnë ëndrrën shekullore për Shqipërinë si gjithë Europa. Liri a vdekje, demokraci a vdekje! Ora po troket, tik-tak".
Pas përfundimit të fjalës, kryedemokrati ka ftuar protestuesit të marshojnë drejt Parlamentit të Shqipërisë, duke mbajtur në duar celularët e ndezuar, të cilën Lulzim Basha e quajti "drita e shpresës".