Report TV -Kandidati i vetëm! Skënder Gjinushi zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave

2019-05-30 0

Pas shumë debatesh dhe polemikash mes akademikëve por edhe politikës, Skënder Gjinushi është zgjedhur Kryetar i Akademisë së Shkencave. Gjinushi ka qenë i vetmi ndër akademikët që ka kandiduar për postin e Kryetarit në Akademi. Në Asamblenë e Akademisë së Shkencave, aii u miratua si kryetar i Akademisë me 35 vota pro ndërsa 6 akademikë të tjerë votuan kundër tij.

Të drejtën e votës në këtë proces zgjedhor e kanë patur 44 akademikë, ku 32 prej tyre kanë marrë pjesë fizikisht në këto zgjedhje ndërsa 11 të tjerë kanë votuar me postë.

I vetmi akademik që nuk votoi ishte Artan Fuga. Fuga më parë deklaroi se ai nuk do ta njihte këtë proces zgjedhor që sipas tij është farsë dhe rrjedhimisht nuk do të njihte edhe kryetarin e dalë nga këto zgjedhje.

Ndërkohë Salavator Bushati, ka marrë 35 vota pro dhe është zgjedhur sekretar i Akademisë së Shkencave. Vasil Tole me 35 vota pro është zgjedhur nënkryetar i Akademisë. Gjithashtu fitues për pozicionin kryetar i seksionit të Akademisë së Shkencave është Neki Frashëri.

Këto zgjedhje janë shoqëruar me debate publike edhe për shkak, se projektligji për ?Reformën në Akademinë e Shkencave? është ende në shqyrtim nga Kuvendi. Ndërsa, zgjedhjet u zhvilluan me ligjin e vjetër në fuqi, atë të vitit 2008.