Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj e pyetur mbi deklaratat e Presidentit për reformën në drejtësi tha se procesi është i pakthyeshëm dhe se ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.
"Reforma në drejtësi është një moment për t'u bashkuar dhe jo për t'u ndarë, nuk ka kthim pas. Reforma nuk ndalet do të vijojë zbatimin e saj dhe kemi pasur rezultate të jashtëzakonshme" tha ajo gjatë aktivitetit dhe në deklaratën për mediat jashtë sallës.
Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi u shpreh se magjistratët po kontrollohen intensivisht. "Rezultatet janë të rëndësishëm të mbeten atje, ku janë. Magjistratët e Shqipërisë po kalojnë në kokën e gjilpërës? tha ai.
Edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca në mënyrë indirekte i dha një tjetër përgjigje të qartë kreut të shtetit shqiptar për Reformën në Drejtësi.
Luigi Soreca gjatë aktivitetit me shoqërinë civile u shpreh se reforma në drejtësi po zbatohet në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën dhe se duhet të mbështetet nga cdo politikan.