Rama letër publike Bashës: Shqiptarët që nuk do më votojnë mua, duan dialog mes nesh...

2019-05-30 0

Pas thirrjeve të shumta publik, këtë radhë, përmes një letre publike, kryeministri Edi Rama i kërkon liderit demokrat Lulzim Basha, të ulen në dialog pa kushte, por pa diskutuar datën e zgjedhjeve të cilën siç Rama shprehet - nuk ka fuqi ligjore ta negociojë: Thirri arsyes dhe ktheju të vetmes rrugë që demokracia njeh - shkruan kryeministri.

Teksa radhit të gjitha vendimet e opozitës, tashmë joparlamentare, të cilat thotë se nuk i mirëkupton, përfshi dhunën në protesta dënuar botërisht edhe nga ndërkombëtarët, kryeministri thekson se kryedemokrati nuk duhet të humbë më kohë dhe të ulet në tryezën e dialogut. Ky dialog, sipas kreut të qeverisë, nuk mund të mbetet peng i faktit që opozita në një vendim ekstrem kërkon të cënojë zgjedhjet, dhe as pamundësisë për të ndryshuar datën kushtetuese të zgjedhjeve, 30 qershorin 2019.

Shefi i mazhorancës shpreh edhe njëherë vendosmërinë për mbajtjen e zgjedhjeve, qoftë edhe pa opozitën që i ka bojkotuar ato, dhe se nuk do të ketë asnjë mundësi që të gjejë zbatim skenari i opozitës jokuvendore për bllokimin e tyre.

Rama thotë se dialogu është edhe një nevojë për zgjedhësit të cilët nuk kanë votuar ndonjëherë të majtën, mbështetësit e të djathtës, të cilët nuk duan dëmtim të Shqipërisë.

Në përfundim të letrës publike, Rama lë të kuptohet se ndoshta ftesa e tij nuk do të gjejë përgjigje pozitive nga kryetari i Partisë Demokratike.