Report TV -Emigrantët/ FRONTEX blindon nesër kufirin, Rama: Jemi të besueshëm për BE-në

2019-05-30 1

Duke nisur nga nesër i gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të monitorohet nga 50 oficerë të FRONTEX në një marrëveshje pa limit. Objektiv është kontrolli i fluksit të emigrantëve nga lindja dhe vendet e Afrikës Veriore që e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-s, po ashtu edhe lufta ndaj krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore. Në ceremoninë e zhvilluar paraditen e sotme te Pallati i Kongreseve kryeministri Edi Rama u shpreh se Shqipëria është një partner i besueshëm për BE-në.

Kreu i ekzekutivit shqiptar Edi Rama theksoi se "Unë besoj nga ana ime që ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në kuadrin e afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me BE, sepse e bën kontributore në sigurinë e kufijve të BE, dhe ka vlerë të veçantë për ne pasi siç e thashë më parë, garanton në disa nivele një ndërveprim të një cilësie të lartë për shkëmbim informacioni, analizën e riskut, për përballimin e përbashkët të një sfide komplekse, dhe rrit cilësinë e kapaciteteve tona në këtë fushë".

Komisioneri i BE-se për Migrim dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos nga Tirana u shpreh se dëshiron që Shqipërinë ta shikoj në familjen europiane, ndërsa u ndal edhe te objektivat e misionit, por shtoi se FRONTEX nuk e cenon sovranitetin e vendit. "Situata në Ballkan mbetet stabël me nivele në ulje të ardhjeve, krahasuar me tre vite më parë. Lëvizja pa viza është një arritje madhore që sjell të mira për të gjithë dhe duhet ta ruajmë.

Skuadra e FRONTEX do të kryejnë kontrolle në kufi për të parandaluar kalime të paautorizuara dhe për të parandaluar krimin. Është një marrëveshje pa limit, nuk është se është pa kufij fare por do të ekzistojë përsa kohë të jetë e nevojshme. Një operacion i përbashkët përsa kohë të jetë në interes të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Nuk ka afat kohor, ne në operacionet e përbashkëta bëjmë planifikimin e buxhetit vjetor, dhe në fillim të vitit tjetër ne bëjmë rivlerësimin. Synimi ynë është të kemi një bashkëpunim afatgjatë me Shqipërinë".

Ministri i Brendshëm Sadër Lleshaj u shpreh se operacioni me FRONTEX do të forcojë sigurinë. Drejtori Ekzekutiv i Frontex-it Fabrice Leggeri shpjegoi si do të funksionojë misioni në Shqipëri. "Objektivi lidhet me një monitorim edhe më të mirë për sa i përket emigracionit te jashtëligjshëm, por edhe aktivitete të jashtëligjshme si trafiqe që zhvillohen në kufi. Ne do të nisim të kemi nga nesër ne terren 50 oficerë kufiri që vinë nga 12 vende anëtar të BE.

Do të kemi edhe makina dhe pajisje teknike patrullimi. Për të gjithë rajonin është e rëndësishme që të ketë operacione të përbashkëta. Ne jemi në kufijtë bregdetare dhe tokësorë, përmes 1200 rojeve bregdetare në të gjithë BE-në, kemi 25 mjete lundruese dhe një dyzinë avionësh dhe helikopterësh, por po caktojmë roje të BE-së për herë të parë jashtë një vendi të BE-së" deklaroi ai. Kjo do të jetë hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së.