Hekurudha shqiptare është në ditët e saj më të errëta. Në të gjithë rrjetet hekurudhore të Shqipërisë rreziku për vdekje është prezent gjatë gjithë kohës. Trenat si ?fantazma? shkojnë e vijnë ndër stacione të cunguar. Ata pasagjerë të pakt në numër udhëtojnë bashkarish me pasigurinë dhe orarin e zgjatur të mundimit.
Linjat sa vijnë e prishen, duke ulur ndjeshëm shpejtësinë e lëvizjes së trenave.
Por edhe pse në grahmat e fundit të ekzistencës, ky rrjet transporti pasagjerësh e mallrash është shndërruar edhe në rrezik për jetën e qytetarëve. Në pesë vitet e fundit, si pasojë e mungesës së sinjalistikës dhe mbikalimeve të paligjshme janë regjistruar 36 aksidente hekurudhore.
Aksidenti më tragjik hekurudhor ka ndodhur në vitin 2003 në hyrje të Vorës, ku makina i pret rrugën trenit në një mbikalim të paligjshëm, i cili ekziston edhe sot, e për pasojë humbën jetën dy persona, instruktori dhe nxënësja.
Por edhe pakujdesia e qytetarëve shpesh herë është burim aksidenti, siç është rasti i një vajze në Elbasan e cila po ecte me kufje në vesh mbi shinat e për pasojë nuk dëgjoi trenin, i cili i mori jetën.
Por jo vetëm përplasjet me mjetet e transportit rrugor si dhe pakujdesia e qytetarëve, në vetvete edhe trenat shpesh herë janë bërë burim aksidentesh duke dalë nga shinat, apo në disa raste edhe duke mbetur në mes të rrugës.
Pas vitit 1992 intensiteti i ndërtimeve bëri që mbi shinat e trenit të ndërtohen 144 mbikalime të paligjshme. Ndër akset më problematike është ai i Shkodër-Bajzë i cili çdo 2 kilometër ka 12 mbikalime të paligjshme.
Edhe pse në një situatë sa të mjeruar por aq edhe të rrezikshme, duket se edhe autoriteti administrues i hekurudhave e ka të pamundur ndërhyrjen për të mirëmbajtur apo ndërhyrë në ato zona të nxehta, ku trenat janë burime aksidentesh.