Në Shqipëri nuk ka të dhëna të sakta për sa i përket sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Edhe pse rastet janë në rritje, sensibilizimi për këtë çështje kaq delikate është i paket, ndërsa shumë persona të infektuar nuk e dinë që janë mbartës të ndonjë virusi. Mjeku infeksionist në QSUT, Arjan Harxhi shprehet për Report Tv se vitin e kaluar janë ekzaminuar mbi 100 raste me infeksione SST, të cilat kryesisht vijnë si pasojë e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura.
?Mungojnë raportimet e sakta, në lidhje me ato që ju i quajtët sëmundje seksualisht të transmetueshme. Sëmundja më madhore, apo infeksioni më madhor, është infeksioni I HIV/AIDS. Edhe pse themi që Shqipëria është një vend me prevalencë të ulët, trendi është në rritje. Në këto vitet e fundit, ka çdo vit mbi 100 raste të reja me infeksion HIV/AIDS. Një infeksion tjetër I pranishëm, me numër rastesh në rritje është sifilizi. ?, shprehet Arjan Harxhi.
Në një kohë ku antibiotikët sa vijnë e po bëhen më rezistentë ndaj infeksioneve, ekzaminimi në kohë i tyre është mjaft i rëndësishëm. Mjeku Harxhi bën apel veçanërisht për gratë shtatzënë të cilat duhet të kryejnë domosdoshmërish testet.
?Përgjithësisht infeksionet virale janë të patrajtueshme. Për shembull HPV, nuk trajtohet. Për shumë nga këto infeksione mund të ketë trajtime, por mbetet problem shfaqja e rezistencës. Përshtypja ime si specialist është që edhe në Shqipëri mund të kemi probleme me rezistencën ndaj antibiotikut të këtyre infeksioneve. Kemi pasur vjet 3 raste me sifiliz te gratë shtatzëna, duke i bërë apel atyre apo edhe mjekëve që i kontrollojnë për të kryer të gjitha ekzaminimet?, tha Arjan Harxhi.
Infeksionet STT, në pjesën më të madhe të rasteve janë të fjetura dhe nuk shfaqin simptoma tek të infektuarit. Kjo bën që pjesa më e madhe e tyre të kapen në një periudhë të vonuar, duke ulur ndjeshëm shanset për kurim të plotë. Aktualisht në vend infeksionet më të përhapura janë HPV, Sifilizi, por edhe HIV/AIDS.