Rama paralajmëron: Kush prek zgjedhjet, digjet nga SHBA e BE - fjalimi para 30 qershorit 2019

2019-05-29 0

Kryeministri Edi Rama në fjalimin para kandidatëve socialistë për kryebashkiakë në zgjedhjet e 30 Qershorit paraljmëroi mbështetësit e opozitës se do të veprojë ligji mbi ta nëse tentojnë të dëmtojnë procesin zgjedhor. Madje Rama shkon edhe më tëj, duke folur edhe në emër të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Edi Rama: "Nuk ia vlen të digjesh për politikën më kriminale të mundshme që të nxit të shkosh me këmbët e tuaja në duart e drejtësisë por që mund të fusë edhe në listën e zezë, të të dënuarve për krimet zgjedhore që do u hiqet përgjithmonë e drejta e hyrjes në SHBA e BE"

Duke folur nga i njëjti vend kur dy vite më parë u hartua marrëveshja mes tij dhe lideri demokrat Lulzim Basha, krysocialisti pranoi që pakti i 2017 nuk ka funksionuar.

"Ajo marrëveshje nuk funksionoi, dhe asnjë marrëveshje nuk funksionon sepse PD ka ndërruar qime, por jo zakon, dhe kuptohet zakoni është Saliu që nuk ndërron as qime, ndërsa Lulzimi është qimja që nuk bëhet dot zakon."

Edhe njëherë Edi Rama ia bëri të qartë Lulzim Bashës se është i hapur për dialog por pa hequr dorë nga posti i Krymeministrit dhe 30 qershori.

"Jam gati të ulem me Lulzim Bashën në çdo moment. Kushte nuk kam. Unë nuk i iki kësaj detyre sepse kam nisur së bashku me ju një luftë që ska shans ta lë në mes.

Akuzat më të ashpra të Kryeministrit u drejtuan ndaj Sali Berishës, që e akuzoi se ka frikë nga drejtësia. Ndërsa Bashën e paraljmëroi se me këtë sjellje pas 30 Qershorit demokratët do të kërkojnë largimin e tyre.

"Janë boll 30 vjet, që i njëjti lider politik, në krye të së njëjtës parti, i cili si President i Republikës dogji Shqipërinë, duke e çuar në buzë të luftës civile, si shef opozite dogji Kryeministrinë, duke e sulmuar me antitank e me kallashnikov, nën synimin e verbër për të vrarë shefin e qeverisë dhe për të marrë pushtetin me dhunë, si kryeministër vrau dhe plagosi me armë zjarri protestues që armët e tyre më të rrezikshme kishin ristelat e pankartave të protestës, të vazhdojë sot të kërcënojë përsëri, me zjarr e flakë këtë popull, nga tmerri se mund t?i vijë më shpejt fletëthirrja e drejtësisë, sesa bileta e takimit me Shën Pjetrin."

Përveç opozitës, Edi Rama kishte edhe një mesazh për socialistët e tij.

"Debatojmë përditë dhe zihemi për punët, por jo për kamerat. Marrim dhe kot ndonjëherë tavolinave, sidomos kur kemi sedër e na mbetet hatri, por zarare si ato të dikurshmet në dëm të qeverisjes së vendit dhe të familjes së madhe që drejtojmë, asnjëherë më sepse kemi mësuar që prej zarareve humbasim të gjithë dhe të gjithë e dimë që kush bën zarare na humbet që të gjithëve."

Në këtë takim Rama u kërkoi kandidatëve për kryebashkiakë që duhet të dalin në terren dhe të bisedojnë me qytetarët për t?i shpjeguar se pse duhet të marrin pjesë në votime në 30 Qershor.