ICTS jo me sherbimin e sigurise ne aeroport?

2019-05-29 3

Koncesionari i Rinasit ka hapur tender ndërkombëtar për të përzgjedhur një kompani të re e cila do të kryejë shërbimin e sigurisë në aeroport. Prej më shumë se 10 vjetësh është shoqëria ICTS e cila ofron këtë shërbim dhe ka aktualisht një kontratë me aeroportin e Tiranës.
Televizioni Klan ka siguruar dokumentin që aeroporti i Tiranës u ka dërguar bizneseve në fushën e sigurisë aeroportuale, të cilat ftohen për të dhënë një ofertë mbi shërbimin e sigurisë për 5 vitet e ardhshme.
"Aeroporti i Tiranës fton subjektet ndërkombëtare të kualifikuara dhe me përvojë, që të shprehin interesin e tyre për ofrimin e Shërbimeve të Sigurisë në ?Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza?: kontrollin e pasagjerëve dhe bagazheve të dorës, ekzaminimin e bagazheve dhe mallrave të postës, kontrollin e aksesit në aeroport për automjetet, dokumenteve të udhëtimit dhe stafin; ruajtjen dhe patrullimin e aeroportit dhe monitorimin e tij përmes sistemeve të sigurisë".
Në dokument thuhet se kompania që do të marrë sigurinë do të nisë punën në muajin Korrik, e cila përputhet edhe me kohën kur mbaron edhe afati i licencës së ICTS, 7 Korrik 2019-ë.
Lidhur me këtë çështje, vetë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi më 11 Prill, disa ditë pas grabitjes në aeroport, se Autoriteti i Aviacionit Civil duhet të kishte revokuar licencën e saj, ndërsa foli edhe për vendimmarrje ekstreme nga ana e shtetit.
Në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është dorëzuar edhe përgjigjia e bordit të kompanisë mëmë të aeroportit, China Everbright, ku pranohet marrja e masave shtesë për sigurinë në aeroport.
Qeveria ka kërkuar ndërtimin e një salle të re monitorimi, vendosjen e sensorëve sinjalizues në të gjithë perimetrin e aeroportit, si dhe mbylljen e çdo rruge hyrëse të mundshme brenda në pistë.
Mësohet se tashmë diskutimet kanë mbetur në fazën e vlerës së investimit që koncesionari duhet të bëjë në mjediset e aeroportit.
Ngjarja e datës 9 Prill, ku persona të maskuar arritën të grabisin 6 milionë Euro nga barku i një avioni që po përgatitej për fluturim solli përplasje mes qeverisë dhe kompanisë kineze që ka operimin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në Shqipëri.