Tiranë - Durrës me pagesë, Balluku: Ende larg, kusht për koncesionarin rregullimi i rrugës së vjetër

2019-05-29 1

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku sqaroi sot procedurat për dhënien me koncesion të autostradës Tiranë-Durrës. Ministrja tha se rruga nuk do të bëhet as tani dhe as në shtator me pagesë, por në vjeshtë do të hapet gara më pas do të zgjidhet fituesi, i cili së pari duhet të zgjerojë dhe të sjellë në parametra europiane rrugën e vjetër Tiranë-Plepa si alternativë përpara se të bëhet autostrada me pagesë. Duke u ndaluar te tarifat, Balluku tha se do të ketë përshkallëzim, por ende është e largët koha që do të futet në fuqi pagesa. Autostrada Tiranë-Durrës është rruga e dytë që pritet që të bëhet me pagesë pas Rrugës së Kombit. Në deklaratën për mediat ministrja njoftoi gjithashtu krijimin e bursës shqiptare të energjisë që sipas saj do të garantojë siguri për furnizimin, transparencë dhe zhvillim. Bursa e energjisë do të krijohet nga OST-ja.

Prononcimi i plotë i ministres Belinda Balluku
Nuk qëndron asnjë projekt për momentin, do të presim cdo projekt që do të ketë fizibilitet të lartë. Dje ka pasur një konfuzion në media, projekti i autostradës Tiranë-Durrës është përmendur shpesh herë edhe nga ministria dhe qeveria si një nga projektet kryesore, pasi lidhja e kryeqytetit me portin e vendit është detyrë, ne na vendos para faktit që sa më shpejt të zhvillohet. Ne po punojmë, në vjeshtë projekti të shpallet për garë dhe më pas të kemi një garë transparente për të qenë fituesi i radhës dhe më pas të fillojnë punimet dhe jo që në shtator do të fillojë kalimi me pagesë. Do të ketë një dialog publik. të gjitha rrugët që në të ardhmen do të jenë me pagesë do të kenë gjithmonë rrugë alternative. Asnjë mundësi e vetme nuk do të jetë asnjëherë me pagesë.