Mollë me brumë të thërmuar
Përbërësit:
400 gr miell
150 gr sheqer
1 lç pluhur pjekës
2 vezë
120 gr gjalp
mbushja
2-3 molle
80 gr sheqer
1 limon
kanellë
Përgatitja:
Në një tas përziejmë miellin e situr, sheqerin, pluhurin pjekës dhe i përziejmë mirë së bashku. Shtojmë në tas 2 vezë, gjalpin në kubikë dhe i trazojmë me duar duke i thërrmuar ( jo të kemi tendencën ta bëjmë brumë të lidhur por thërrime thërrime.)
Qërojmë mollët dhe i presim në kubikë të vegjël duke i vendosur në një tigan. Shtojmë 80 gr sheqer, lëngun e një limoni dhe 1 majë luge kanellë. Vendosim tiganin në zjarr dhe e lëmë të ziejë për 5 minuta nga momenti që nis të marrë valë.
Në një tepsi me diametër 26 cm vendosim një letër pjekje dhe vendosim si bazë gjysmën e brumit të thërrmuar duke e niveluar mbi gjithë sipërfaqen por dhe duke e ngjeshur pak me dorë lehtë, duke ngritur anët si mur( me qëllim që të mos na kullojë anash mbushja me mollë). Vendosim mollët e gatuara mbi brumë dhe i hapim mirë në të gjithë sipërfaqen. Në fund mbulojmë komplet mbushjen me thërrimet e brumit duke niveluar mirë të gjithë sipërfaqen e sipërme. Vendosim tepsinë në furrën e parangrohur në temperaturë 180º për 35-40 minuta. Në fund e nxjerrim tavën nga furra kur të ketë marrë një ngjyrë si të artë. E vendosim në tortierë dhe pasi të bjerë pak temperatura e spërkatim me sheqer pluhur.