Dy kryebashkiakët më jetëgjatë të Partisë Socialiste, Vangjush Dako në Durrës dhe Qazim Sejdini në Elbasan nuk janë më në listat e PS-së për zgjedhjet lokale të 30 Qershorit. Në një komunikim me gazetarët, Kryeministri Edi Rama sqaroi përse Dako dhe Sejdini nuk do të rikandidohen, duke thënë se 12 vjet në krye të dy qyteteve janë periudhë e gjatë. Zëvendësimin e tyre, Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini e kishin kërkuar vetë, tha kreu i qeverisë.
"Nuk më rezulton të ketë dalë ndonjë përgjim për Vangjush Dakon. Më rezulton që kanë dalë disa përgjime në thyerje të sekretit hetimor për një grup kriminal dhe mes atyre përgjimeve ka referenca dhe komunikime që nuk tregojnë asgjë për Vangjush Dakon. Dhe përsëri mes detyrimit karshi opinionit publik për t'i dhënë çdo informacion, detyrimi është për të ndarë qartë spektaklin dhe informacionin. Zëvendësimi i Vangjush Dakos apo Qazim Sejdinit në Elbasan është kërkesë e tyre prej kohësh.
Tre mandate, 12 vjet në krye të dy qyteteve të rëndësishme janë shumë. Janë jashtëzakonisht shumë, janë konsum i madh dhe nevoja për të sjellë energji të reja është evidente. Unë bëj debat me njerëzit e lidershipit të partisë sa herë them i dua të 61 bashkitë. Por përderisa shkon në garë, shkon për të fituar. E dyta, kush është më i mirë se ne në këtë fushë. Më të mirët nuk jemi, por kush është më i mirë se ne", u shpreh Kryeministri Edi Rama.