Basha mbyll protestën pas 3 orëve, refuzon thirrjet e ndërkombëtarëve

2019-05-29 0

Mbërritja në selinë e Partisë Demokratike shënoi përmbylljen e protestës së opozitës që këtë të hënë u mbajt në formën e një marshimi në 5 institucione, kryeministria, Policia e Shtetit, Parlamenti, Ministria e brendshme dhe Policia e Tiranës. Në fjalimin përmbyllës, nën reshjet e shiut që karakterizuan këtë protestë, lideri demokrat Lulzim Basha falenderoi pjesëmarrësit në protestë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.

"Sot treguam se nuk ka forcë mbi tokë të na ndalë në kauzën tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Se nuk ka frocë të na detyrojë të ulemi dhe të bëjmë pazare me të keqen. E keqja do të ikë", tha Basha, duke i kthyer kështu në mënyrë indirekte një përgjigje edhe ndërkombëtarëve, që njëzëri i bënë thirrje opozitës jokuvendore t'i japë fund protestave të dhunshme dhe të ulet në dialog konstruktiv për të zgjidhur ngërçin politik.