Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për mediat serbe ka folur për Samitin e Berlinit, negociatat për integrimin e Ballkanit Perëndimor, ''Shqipërinë e Madhe'', dialogu Prishtinë-Beograd, por edhe cështje të tjera. Për kryeministrin Edi Rama, shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë janë vëllezër që tani jetojnë në dy vende të ndryshme dhe që duhet të bashkohen, por në BE.
"Shqipëria e Madhe është një term i krijuar, promovuar, komentuar dhe përdorur nga ata që qëndrojnë në anën tjetër të llogoreve të luftës në histori. Nuk ka Shqipëri të Madhe. Ekziston një ide e qartë se ne jemi vëllezër që tani jetojnë në dy vende të ndryshme dhe se duhet të bashkohemi.
E pashë atë bashkim si pjesë e rrugës sonë drejt BE-së dhe nëse ka diçka të madhe, është një BE e madhe. Nuk duam kufij me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë apo Serbinë. Duhet të krijojmë një hapësirë ndryshe ku të jetohet njësoj si në Bashkimin Europian, pa kufij, për të forcuar raportet tregtare, kulturore dhe gjithçka tjetër" tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh pas samitit të Berlinit, se Rama bashkë me Merkel dhe Macron i kishin bërë presion për heqjen e taksës për mallrat serbe. Për këtë cështje që shkaktoi replika mes dy kryeministrave ai ka folur edhe për mediat serbe.
"Edhe gjatë samitit të Berlinit, unë, kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës, nuk kemi bërë presion që të hiqet taksa, por që ajo të pezullohet për të mundësuar një kapitull të ri bisedimesh. U etiketova se bëra diçka të keqe ? në të dy anët. Në të njëjtën kohë, mendoj se samiti ishte shumë i frytshëm sepse krijoi një sprovë të re dhe një detyrim për të pasur një ribashkim më 1 korrik në Paris. Kjo është shumë e rëndësishme" tha ai.
I pyetur se çfarë mendon për mundësinë që homologu i tij holandez, Mark Rute, të zgjidhet president i Komisionit Evropian, Rama tha se ai është një njeri i madh dhe se nuk është rastësisht aty. "Kushdo që kryeson BE në katër vitet e ardhshme do të duhet të merret me këtë moment shumë të vështirë. Unë do të doja Mark të ishte aty sepse, siç thashë, ai është një politikan i zoti dhe evropian" tha Rama.