Rama zbardh takimin në zyrën e tij me Arta Markun, kreun e SHISH dhe dy ministra

2019-05-29 0

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur atë se çfarë është diskutuar sot në zyrën e tij mes kryeprokurores Arta Marku, kreut të SHISH, Helidon Bendo, ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe të Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Kreu i qeverisë tha se në fokus të takimit ishte domosdoshmëria e rritjes së vëmendjes për të garantuar procesin zgjedhor, në kushtet kur po cënohet rendi kushtetues. Kujtojmë se opozita jokuvendore ka bërë thirrje publike për bllokimin e procesit zgjedhor më 30 qershor 2019, në të cilin ajo nuk do të marrë pjesë pasi ka bojkotuar. Pyetjes së gazetares së Report Tv, Esiona Konomi, se çfarë u bisedua në këtë takim, kreu i qeverisë ju përgjigj:

"Po, kishte një takim, dhe një burim mediatik madje e kemi listuar në atë listën e zyrës që punon me shpifjet, vazhdon zyra punon, janë shumë gjyqe që janë hapur me shpifësit profesionist të PD por do vazhdojë, se kishte nxjerrë që unë e paskam thirrur këtu prokuroren e Përgjithshme dhe kam kërkuar të çojë hetimin për protestën e djeshme tek prokuroria e përgjithshme dhe ajo më paska refuzuar! Një film! E kam thirrur, po, së bashku me drejtues të tjerë të rëndësive ligjzbatuese, jo për protestën e djeshme, por për domosdoshmërinë e vëmendjes së gjithë institucioneve kur dje u dha mesazhi i cënimit të rendit kushtetues dhe për të garantuar që ky mesazh nuk do të gjejë rrugë për tu kthyer në pengesë për zgjedhjet. Zgjedhjet nuk janë të miat, nuk janë të PS, nuk janë të qeverisë, janë themeli i kësaj shtëpie që kemi vendosur ta ndërtojmë në një sistem bashkëjetese të ndryshmesh. Prekja e këtyre themeleve është prekje e gjithë ngrehinës së përbashkët. Kjo është arsyeja", tha shefi i mazhorancës.