Report TV - Hedhja e bombave molotov, momenti kur protestuesi merr flakë

2019-05-29 2

Militantët e PD-së kanë çarë kordonin e policisë dhe janë futur tek dera në hyrje të godinës së kryeministrisë. Por teksa militantët u gjendën në hyrje të kryeministrisë, të tjerë simpatizantë nga jashtë kordonit lëshuan bomba molotov ku njëri prej protestuesve u kaplua nga flakët.

Mund të ishte një skenë tragjike por ai ka shpëtuar duke hequr rrobat e trupit që morën flakë. Një tjetër protestues që çau kordonin e policisë mbeti i lënduar, i shtrirë në tokë. Nuk dihet nëse edhe ai mori flakë apo mbeti i lënduar nga hedhja e gazit lotsjellës nga ana e policisë për të shpërndarë turmën.

Thirrja e parë e Lulzim Bashës për ndaljen e akteve të dhunës ishte në përfundim të fjalimit të tij që u shoqërua gjatë gjithë kohës me zhurmën e bombave që hidheshin ndaj kryeministrisë.

"Mos sulmoni vëllezërit policë. E di zemërimin tuaj, të dhunuar, të papunë. Ora e Shqipërisë Evropiane po afron. Forca jonë është pjesëmarrja, forca jonë është bashkimi. Forca jonë është qëndresë: Rama ik.", u shpreh ai.