Një atentat me armë u shënua rreth orës 11:00 këtë të premten në qytetin e Vlorës, në shëtitoren e Lungomares, mjaft të frekuentuar nga qytetarët, ku nga të shtënat mbeti i plagosur me një plumb në këmbë një person i rastësishëm që pinte kafe në lokal.
Shënjestra e atentatit ishte Inez Hajrulla, 27-vjeç, një emër i njohur për policinë e qytetit bregdetar, i cili i shpëtoi plumbave. I riu vlonjat duhej të ishte në shtëpi pasi ndaj tij ka masë shtrënguese nga gjykata të "arrestit shtëpiak" për armëmbajtje pa leje. E gjithë dinamika u zhvillua në një përplasje të armatosur mes dy grupeve që lëviznin në Lungomare në dy automjete të ndryshme, njëri prej të cilëve Land Rover, që nga hetimet rezultoi të ishte me targa të vjedhura. Nga të dyja makinat ka pasur shkëmbim zjarri teksa ecnin pranë njëra-tjetrës.
Por nga sa rrëfejnë dëshmitarët, në një moment furistrada është ndalur dhe nga automjeti tjetër ku dyshohet të ketë qenë Inez Hajrulla, kanë zbritur në këmbë disa djem, së bashku me shënjestrën e atentatit dhe kanë nisur të qëllojnë ndaj kundërshtarëve ndalur pranë një lokali. Teksa të gjithë shpëtuan pa lëndime, një qytetar krejt i rastësishëm, pa lidhje me ngjarjen, mbeti i plagosur. 58-vjeçari Dajko Cenodemaj, punonjës në Bashkinë e Vlorës ishte duke pirë kafe me miqtë në lokalin pranë përplasjes së armatosur. Ai mori një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autorët janë larguar me automjetet përkatëse dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë. Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë i grupit të autorëve të atentatit. Makina është një Land Rover i zi, brenda të cilit u gjetën dy armë automatike.
Policia, e cila ngriti postblloqe, kreu kontrolle për kapjen e autorëve në kodrat e Babicës dhe të Bunavisë dhe në fshatrat rreth Vlorës, ku dyshohet se ata morën drejtim, ndërsa dyshohet të kenë qenë tre persona të përfshirë.
Ngjarja ka ngjallur panik edhe tek personat e ulur në lokal, të cilët në momentin e breshërisë janë ulur poshtë tavolinave dhe janë futur me shpejtësi brenda. Ky lokal frekuentohej nga Edison Harizaj i vrarë në nëntor 2018 në një atentat në Durrës. Mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët policinë e Vlorës pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Bizneset në këtë zonë kryesisht janë të pajisur me kamera sigurie dhe pritet të shihet nëse në filmime do të jenë pikasur autorët e kësaj ngjarje.