Në zërin që i dridhej dhe shfaqte emocionet dhe dhimbjen për ndarjen nga jeta të nëntetares Zarife Hasanaj, gjenerali Bardhyl Kollçaku i dha lamtumirën ushtarakes së rënë në krye të detyrës.
"Zarifja, bija juaj, shoqja jonë, bija e Tropojës, bija e Shqipërisë, heroina e ushtrisë, po shkon në altarin e pavdekësisë, në gjirin e nënës së madhe Shqipëri. Dëshmorët shkojnë në vendin e shenjtë, aty ku prehen të përjetshmit e pavdekshëm", tha Gjenerali.
Fjalë prekëse ishin edhe ato kur ju gjenerali ju drejtua në mënyrë simbolike Zarifes, për të treguar njerëzit e shumtë që ishin sot në ceremoninë e homazheve mbajtur në nder të saj në Pallatin e Brigadave.
"Kanë ardhur për të të përcjellë shokët dhe kolegët e tu. Ata që Ti i doje dhe të donin kaq shumë. Ata që nuk të zëvendësojnë dot; ata që nuk të harrojnë dot! Është me Ty sot gjithë familja e madhe ushtarake e Forcës së Armatosur, që Ti e nderove me jetën tënde. Janë këtu për Ty sot kolegët e Tu të misionit të NATOs, ku Ti me punën, forcën dhe natyrën tënde, u bëre aq e afërt, aq e pandashme. Ata janë këtu, me zemër, shpirt dhe mëndje, përmes kaq shumë ngushëllimeve të ndjera që kanë ardhur dhe vijnë nga gjithë Aleanca", u shpreh ai.