Gjykata e Tiranës vendosi sot masën "detyrim paraqitje" për ish-deputetin e Partisë Demokratike, Klevis Balliu, të arrestuar pas protestës së dhunshme dhe të paligjshme dy ditë më parë tek Unaza e Re. Prokuroria kërkoi "arrest shtëpie", por Gjykata vendosi masë më të lehtë, detyrim paraqitje. Edhe për tre të arrestuarit e tjerë u vendos e njëjta masë. Banorët e zonës së 'Astirit', Lulzim Marqinaj, Elton Skënderi dhe Sit Hajdarasi së bashku me Balliun tentuan të pengojnë kalimin e kryeministrit Rama që do shkonte tek një fabrikë mielli, dhe u konfrontuan me policinë, ku mbetën të plagosur edhe 4 efektivë.
Prokurori Gjergji Tako kërkoi "arrest shtëpie" për Balliun me argumentin se ka marrë pjesë në një protestë të paligjshme dhe ka lënduar në shpatull një punonjës policie në tentativë për të dalë nga furgoni i policisë në momentin që po shoqërohej në komisariat. Prokuroria paraqiti si provë, filmime nga kamerat e trupit të dy efektivëve të policisë që ndërhynë për të shmangur përplasjen, por gjyqtarja Rexhina Merlika tha se këto pamje nuk janë prova të mjaftueshme pasi filmimet duheshin bërë sipas saj me autorizim nga gjykata. Arrestimi i Klevis Ballliut u bë në kushtet e flagrancës nga efektivët e forcave Shqiponja, ku në momentin e shoqërimit pati sërish kundërshti me dhunë të efektivëve aq sa u thye edhe xhami i furgonit të policisë. Ky moment u shfrytëzua nga ish-deputeti Balliu për të bërë shfaqje para kamerave, teksa doli nga xhami me dy gishtat lart, simbolin e Partisë Demokratike, duke i dhënë "zemër" banorëve të tjerë protestues, që mos të ndalinin protestën. Vetë Balliu ka mohuar gjithçka duke thënë se nuk ka dhunuar asnjë policë, pasi nuk kishte shikim si pasojë e gazit lotsjellës që sipas tij policia policia përdori në protestë.