Integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen europiane ishte kryefjala e Samitit të Brdo-Brijunit që u zhvillua në Tiranë në drejtimin e Presidentit shqiptar Ilir Meta. Të pranishëm ishin presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, e Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic dhe Milorad Dodik i Bosnje-Hercegovinës, ndërsa i Maqedonisë Ivanov nuk ishte i pranishëm. Duke qenë se ky samit përkonte më Javën e Europës, të ftuar ishin edhe shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.
Presidenti Meta kërkoi që konkluzionet e këtij takimi të dëgjohen më shumë nga vendet anëtarë të BE-së. Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se samiti u zhvillua në një atmosferë pozitive. Presidenti i Sllovenisë Barut Pahor thotë se Parlamenti i ri Evropian i dalë pas zgjedhjeve të reja që do të mbahen në fund të majit, duhet të shohë arritjet dhe zhvillimin e Ballkanit Perëndimor, sa i përket progresit të bërë në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndërkohë që presidentja kroate Grabar-Kitarovic theksoi se është e frikësuar me vakumin që BE-ja ka krijuar në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë ajo shtoi se në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm kur Kroacia do të drejtojë Presidencën e BE-së do të organizojë një samit për integrimin e rajonit në BE.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i ftuar nderi në Samtin e Brdo-Brijunit, është shprehur se në këtë samit janë diskutuar problemet që mund kenë shtetet me njëra-tjetrën, duke theksuar se zgjidhja e tyre do t'i shërbente për mirë vendeve të rajonit. Duke u ndalur te dialogu Kosovë-Serbi, i pyetur nëse sot ishte gjetur ndonjë mënyrë më kreative si duhet të zhvillohet, Presidenti shqiptar Ilir Meta tha se "Duhet të theksoja rëndësinë që ne i kushtojnë Serbisë dhe Kosovë për të rinisur dialogut, ka qenë shumë e rëndësishme në samitin e Berlinit, por do jetë e posaçme në Paris. Atmosfera sot ka qenë mjaft konstruktive pavarësisht nga diferencat e ndryshme". Samiti i radhës do të zhvillohet në Lubjanë.