Rama: Nuk do te bej asnje perpjekje per rikthimin e opozites

2019-05-29 0

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk do të bëjë asnjë përpjekje që opozita të marrë pjesë në zgjedhje vendore. Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, Rama tha për gazetarët se zgjedhjet do të mbahen më 30 Qershor.

"Në 30 Qershor ne do të kërkojmë votën e qytetarëve në 61 Bashkitë e vendit për të marrë një mandat në drejtimin e mundësisht të 61 Bashkive. Ne jemi regjistruar me një koalicion dhe kandidatët do të jenë kandidatë të koalicionit. Unë jam i keqardhur që opozita e Partisë Demokratike dhe e simotrës së saj të vogël LSI ka vendosur të shkojë në një rrugë pa krye. Unë uroj që të jetë një rrugë me kthim për ata, por unë nuk kam ndërmend që të bëj asnjë përpjekje. Në një sistem demokratik askush nuk është i detyruar të marrë pjesë me zor në një proces zgjedhor".

I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë një marrëveshje të dytë si ajo e para dy viteve, Rama e konsideroi histori vitin 2017. Megjithatë, Kryeministri e la të hapur mundësinë e një zgjidhje politike nëse opozita është e gatshme.

"Është një moment i pazakontë, por ka gjithë potencialin e vetë për të krijuar një situatë të re politike. Zgjedhjet politike në vend nuk i bën demokratike pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e 1, 2 apo 17 partive. Këtu kemi të bëjmë me një vendimmarrje politike legjitime të një force politike që në një moment të caktuar vendos të vrasë veten politikisht. Partia Socialiste nuk bën regjistrime subjektesh të tjera në zgjedhje. Këtë çështje e trajton ligji zgjedhor dhe mbi bazën e ligjit zgjedhor funksionon një administratë zgjedhore. 2017-ta është tani më histori, në 2017 kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme, të njëanshme, të udhëhequr nga unë në atë rast, sot jemi në kushtet kur kemi vetëm një përgjegjësi, t'u japim qytetarëve shqiptarë kandidatët më të mirë për të drejtuar me sukses në 4 vitet e ardhshme bashkitë e vendit".