Terrorizohet Novosela, 100 vjedhje nga janari, banorët: Ndihmë! Kemi frikë, po bëjmë roje natën

2019-05-29 2

VLORE-Nga muaji janar i këtij viti njësia administrative e Novoselës është terrorizuar nga një grup kriminal me maska dhe i armatosur që ka kryer 100 vjedhje, nga të cilat 40 janë regjistruar vetëm në prill. Bishani është fshati më i prekur me 40 vjedhje, 6 në Aliban, ndërsa të tjerat në Poro, Dëllenjë dhe Mifol. Banorët e zonës kanë kërkuar ndihmë në Report Tv. Sipas tyre janë dy grupe që kryejnë grabitje natën por këto të fundit po kryhen nga një grup i strukturuar që lëvizin me armë. Qamile Bulla është një e moshuar e prekur nga grabitjet. Vetëm 3 ditë më parë Qamiles i janë vjedhur 2 viça ku sipas saj i kane shkaktuar një dëm prej 300 mijë lekësh. Qamile Bulla i bën thirrje shtetit të vendosë dorë në këtë zonë dhe të ndërhyjë urgjent pasi pas bagëtive radhën mund ta kenë banesat dhe ky grup që lëviz me armë ndoshta mund të marrë dhe ndonjë jetë në përpjekje për të ruajtur banesat e tyre.

Djali i Qamile Bulles, Adritaiku shprehet se bashkë me fshatin kanë bërë një mbledhje ku po bëhet roje çdo natë nga një grup prej 3 vetash nga fshati. Sipas tij, kanë 3 dite pa gjumë por nuk dinë dhe sa do të rezistojnë. 'Kemi arritur deri në identifikimin e personave por shteti të bëjë punën vetë, mos të zgjasë hetimet pasi jeta jon është e pasigurt" thotë ai. Alfred Dalipi një tjetër banor i fshatit Bishan shprehet se i kanë vjedhur lopën, madje sipas tij e njeh personin që ia ka vjedhur dhe therur në oborr e shtëpisë më pas ia tregtuan për mish. Ai thotë se i ka bërë thirrje policisë të marrë masat ndryshe do e kalojnë në vetëgjyqësi. Dalipi tregon se shteti nuk ndërhyn pasi sipas tij mund të kenë dorë me grabitësit duke i toleruar ata. Këto akuza ndaj uniformave blu i ngrenë edhe banorë të tjerë të cilët tregohen skeptikë ndaj punës së policisë.