Kundërshtoi policinë në tubimin e paligjshëm, arrestohet ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu

2019-05-29 0

Arrestohet ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu për organizimin e tubimeve të paligjshme, bllokim të rrugës dhe kundërshtim me dhunë të forcave të policisë. Ish-deputeti u shoqërua rreth orës 11:00 nga forcat e policisë, teksa së bashku me disa banorë të zonës së "Astirit" bllokuan rrugën paraditen e sotme, në tentativë për të penguar kalimin e eskortës së kryeministrit Edi Rama.

Balliu dhe banorët zaptuan rrugën duke penguar qarkullimin e automjeteve. U ulën në mes të rrugës në zonën e Unazës së Madhe, ndërsa kreu i qeverisë nga kjo rrugë për të shkuar në një aktivitet tek Fabrika e Miellit. Pati konfrontime me forcat e policisë që tentuan të largojnë protestuesit nga rruga. Vetë ish-deputeti i PD-së u përplas me uniformat blu, në mbështetje të të cilëve ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponjat.

Balliu u shoqërua nga forcat Shqiponja ndërsa në momentin që ai po futej në furgonin e policisë ka bërë rezistencë. Për pasojë është thyer edhe xhami i furgonit, që Balliu e shfrytëzoi si një "dritare" për të dalë me gjysmën e trupit duke bërë simbolin e PD-së, dy gishtat

Sipas nenit 236 për kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik, dënimi është nga gjobë deri në një vit, dhe deri në shtatë vjet kur ushtrohet dhunë fizike më shumë se një herë dhe në bashkëpunim.

Ndërkohë neni 262 për organizimin dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit, për manifestimet pa leje, me burgim deri në tre vjet kur manifestimi i paligjshëm vijon edhe pas paralajmërimeve për shpërndarje, dhe nga gjobë deri në dy vjet burg, kur vepra përsëritet më shumë se një herë dhe sjell pasoja të rënda.