Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu është shoqëruar nga policia pasi së bashku me banorë të zonës së "Astirit" bllokuan rrugën paraditen e sotme, në tentativë për të penguar kalimin e eskortës së kryeministrit Edi Rama.
Balliu dhe banorët zaptuan rrugën duke penguar qarkullimin e automjeteve. U ulën në mes të rrugës në zonën e Unazës së Madhe, ndërsa kreu i qeverisë nga kjo rrugë për të shkuar në një aktivitet tek Fabrika e Miellit. Pati konfrontime me forcat e policisë që tentuan të largojnë protestuesit nga rruga. Vetë ish-deputeti i PD-së u përplas me uniformat blu, në mbështetje të të cilëve ishin edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Shqiponjat.
Balliu u shoqërua nga forcat Shqiponja ndërsa në momentin që ai po futej në furgonin e policisë ka bërë rezistencë. Për pasojë është thyer edhe xhami i furgonit, që Balliu e shfrytëzoi si një "dritare" për të dalë me gjysmën e trupit duke bërë simbolin e PD-së, dy gishtat.
Sa i përket bllokimit të rrugës, Kodit penal parashikon deri në 3 vite burg. Mazhoranca në një draft për ndryshimin e Kodit Penal ka kërkuar ashpërsim të dënimeve për disa çështje të ndjeshme së fundi, siç është bllokimi i rrugëve, një ligj i mbajtur vetëm në letër dhe i pazbatuar deri më sot, apo edhe ndëshkimi më i ashpër sa i përket sigurisë ushqimore.
Bashkë me Klevis Balliun u shoqëruan edhe disa banorë, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, pasi nuk u ndjenë mirë gjatë konfrontimeve të shumta që pati gjatë tubimit me bllokim rruge.
Kujtojmë se banorët e Astirit prej kohësh janë në protestë për të kundërshtuar prishjen e banesave të tyre që preken nga zgjerimi i Unazës së Madhe.