Report TV zbardh të gjithë dinamikën e grabitjes së Rinasit, ku u vodhën 7 thasë me rreth 6 milionë euro.
Përmes pamjeve ekskluzive të sjella pas ngjarjes së 9 Prillit, tregohet se e gjithë grabitja e Rinasit ka ndodhur në vetëm 5 minuta.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, Report TV solli pamjet ekskluzive ku tregohen veprimet e grabitësve të drejtuar nga Admir Murataj, të cilat nisin përgjatë perimetrit të aeroportit që është i rezervuar për hyrjen e mjeteve të zjarrfikësve.
Nga pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, një nga grabitësit që ka të veshur uniformë të zezë thyen zinxhirët që mbajnë të kyçur derën, ndërsa bashkëpunëtorët e tjerë me një kabull prej çeliku të lidhur te furgoni spostojnë bllokun prej çimentoje të vendosur si mbrojtje e gardhit.
Në pak sekonda furgoni i kamufluar me logon ?Hetimi Tatimor?, futet në aeroport i pa shqetësuar nga askush, teksa vijon itinerarin në pistën e aeroportit duke kaluar nga pas avionëve të parkuar drejt avionit të linjës së Austrisë, ku po vendoseshin thasët me eurot.
Në një tjetër video ekskluzive të publikuar një ditë më parë, vihet re se furgoni futet në pistë 10 sekonda pasi ulet një avion me 200 pasagjerë nga Italia. Avioni ku ndodheshin eurot është i treti në radhë, teksa dallohet bishti i 'Austrian Airlines".
Furgoni i policisë që lëviz dhe furgoni i policisë kufitare që qëndron në pistë për të riatdhesuarit janë me armatim vetëm pistoleta.