Sipas paralajmërimeve, të martën, Kreu i Kishës Katolike Papa Françesku do të arrijë në Maqedoninë e Veriut. Ai, në vilën Presidenciale, pritet të takohet me krerë të lartë të shtetit, me krerët e bashkësive fetare, kurse në Sheshin e Shkupit do të mbajë meshën kryesore ku pritet të marrin pjesë 15 mijë njerëz.
Në Shkup janë duke u bërë përgatitjet e fundit për vizitën e Papa Françeskut më 7 Maj. Janë duke u rregulluar lokacionet ku do të qëndrojë ai, kurse po ndahen edhe biletat për të marrë pjesë në liturgjinë e shenjtë që do të mbahet në sheshin e Shkupit. Në prag të vizitës së tij në Shkup, Ati I shenjtë, përmes një video-mesazhi ju është drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se si kurrë më parë Evropa dhe Bota kanë nevojë për një kulturë të vëllazërimit dhe bashkëjetesës.
Papa Françesku: Bukuria e veçantë e vendit Tuaj është në kulturat, etnitë dhe religjionet e ndryshme. S`do mend se bashkëjetesa jo çdoherë është e lehtë, e dimë këtë, por ia vlen të bëjmë përpjekje, ngase mozaiqet më të bukura janë ata që kanë më shumë ngjyra.
Sipas paralajmërimeve Ati i Shenjtë do të takohet edhe me krerët e bashkësive fetare të Maqedonisë në Shtëpinë Përkujtimore të Nënës Terezë.