Artan Gjermeni është gjyqtari që liroi nga qelia Ervis Martinajn kundrejt garancisë pasurore 5 mln lekë. Edhe pse tre prokuroret Anisa Qilimi, Artan Lulo dhe Kreshnik Ajazi kundërshtuan duke kërkuar që për Martinajn të mbetet në fuqi masa arrest me burg, pasi është në hetim për shtatë akuza, Gjermeni vendosi që ta nxirrte nga qelia. Emri i Ervis Martinajt dhe vetë dosja e vrasjes në ish-Bllok nuk ishin të panjohura për gjyqtarin Artan Gjermeni. Vitin e kaluar pas vrasjes në ish-Bllok në datë 4 tetor, gjyqtari i Tiranës, Gjermeni vendosi masën e sigurisë 30 ditë burg për Martinajn, me argumentin se nuk ishte faktuar që celulari i ekspertuar në Izrael i përkiste atij.
Ky vendim u cilësua ?absurd? nga Prokuroria dhe më 19 nëntor 2018, Gjykata e Apelit të Tiranës ashpërsoi masën e sigurisë ndaj Ervis Martinajt. Kryetari i Gjykatës së Apelit Hysni Demiraj rrëzoi vendimin e gjyqtarit të Shkallës së Parë Artan Gjermeni duke e lënë në burg pa afat Martinajn deri në përfundim të hetimeve. Por, pas kërkesës së palës mbrojtëse cështja u rikthye në Shkallën e Parë, ku gjyqtari Gjermeni vendosi të lironte Martinajn kundrejt garancisë pasurore 5 mln lekë. Pra, ndërsa në fillim kërkoi vetëm 30 ditë burg, por u rrëzua nga Apeli, herën e dytë Gjermeni e liroi nga qelia. Kujtojmë që më 28 tetor 2014, gjyqtari Artan Gjermeni e dënoi me 200 mijë lekë gjobë Martinajn për organizim të lotarive të palejuara.
Por kush është gjyqtari Artan Gjermeni?
Ai është prej vitesh në sistemin e drejtësisë, ndërsa ende nuk ka kaluar në filtrin e vettingut. Artan Gjermeni ka një karrierë të gjatë, ndërsa ka gjykuar dosje të rëndësishme. Ai është i njohur si kryetar i Gjykatës së Lushnjës, pas viteve 2000, kur aty u zhvilluan gjyqet për ?Bandën e Lushnjes?. Për vendimet e dhëna ai u akuzua nga Partia Demokratike si i lidhur me Aldo Baren.
Në vitin 2006 nisi një procedim disiplinor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me kërkesë të ministrit të asaj kohe të drejtësisë Aldo Bumçi. Ai e akuzonte Gjermenin që tashmë kishte kaluar në gjykatën e Kavajës dhe që mbante edhe detyrën e anëtarit të KLD-së për shkelje në detyrë dhe për parregullsi në deklarimin e pasurisë. Gjermeni i shpëtoi shkarkimit pasi KLD votoi në favor të tij. Megjithatë ai u largua nga Kavaja në Elbasan ku qëndroi deri në vitin 2011.