PEQIN- Një person ka humbur jetën, e ndërsa pesë të tjerë janë plagosur rëndë, si pasojë e një aksidenti rrugor në Peqin.
Ngjarja ka ndodhur te ?Kryqëzimi i Gjocaj?, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke regjistruar një viktimë dhe pesë plagosur, katër prej tyre në gjendje të rëndë. Viktima është identifikuar si Fatime Braho, 50-vjeç, e ndërsa edhe bashkëshorti i saj, Gëzim Braho është në gjendje të rëndë. Gazetari i Report Tv Aldo Kozarja raporton se të plagosurit e tjerë janë Ismail Hoxhallari, Kamber Beqiri, Florant Hoxhallari, Kristian Hoxhallari.
Personat e përfshirë në ngjarje të rëndë po ktheheshin nga një gëzim familjar, i cili fatkeqësisht u mbyll me një fund tragjik.
Nga informacionet paraprake mjeti tip ?Toyota?, ku po udhëtonte viktima dhe dy nga të plagosurit ka kryer parakalim të gabuar. Ndërkohë, mjeti tjetër tip Volkswagen drejtohej nga Kamber Beqiri. Fatmirësisht, për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, në vendngjarje kanë mbërritur tre ambulanca, nga Peqini, Rrogozhina dhe një nga Elbasani, të cilët kanë dhënë në kohë ndihmën e parë mjekësore.
Siç mund ta shihni në fotot e siguruara nga Report TV, përplasja e dy automjeteve ka qenë shumë e fortë, aq sa mjeti Toyota është kthyer përmbys, e ndërsa mjeti tip Volkswagen ka marrë dëmtime të rënda nga njëri krah.