Platformën politike për arritjen e një marrëveshje kushtetuese 5 krerët e partive të grupimit të qendrës së djathtë i?a paraqitën edhe kreut të shtetit Ilir Meta me të cilin u takuan për afro 60 minuta në Presidencë.
Një ndër propozimet e aleatëve të djathtë për zgjidhjen e krizës është ulja e të gjitha partive politike në një tryezë dialogu, duke pranuar të negociojnë edhe me Edi Ramën, jo në rrolin e Kryeministrit por atë të Kryetarit të Partisë Socialiste. Pas takimit kryerepublikani Fatmir Mediu tha se në vlerësim të kërkesës së 5 partive dhe qëndrimeve të tyre Presidenti do të ndërmarrë veprimet e veta edhe në diskutim me aktorë të tjerë politikë.
Fatmir Mediu Kryetar i PR-së: Nuk besoj që ne sot erdhëm për ti thënë Presidentit mblidh një tryezë dhe ai mbledh një tryezë. Ka nevojë për diskutim me të gjitha palët rreth kësaj çështje. Mendoj se Presidenti jo vetëm është në të njëjtën valë shqetësimi si gjithë qytetarët shqiptarë për atë çka të bëjë situatën në vend apo dhe shqetësimin që ne kemi ngritur por edhe ka angazhimin në mënyrë që palët të gjejnë përgjegjshmërinë e vet për t'iu përgjigjur me korrektesë dhe seriozitet kësaj situate për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit.
Zyra e shtypit të Presidentit përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat tha se kreu i shtetit ka ftuar palët për dialog, duke e cilësuar mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje rrezik për pluralizmin.
Ilir Meta, President: Mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend. Nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.
Arsyet e krizës institucionale dhe të përfaqësimit ku ka hyrë vendi, Presidenti thotë se i sheh tek cënimi i parimeve kushtetuese të reformës në drejtësi.
Presidenti Meta nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës. Nëse kjo do të kishte ndodhur, kriza aktuale politike nuk do të kishte marrë këto përmasa.
Ndonëse aleatët e opozitës u panë të qeshur pas takimit me Presidentin Meta, burimet i thanë Televizionit Klan se ata nuk kishin marrë një përgjigje nga ana e kreut të shtetit nëse ai do të thërriste një tryezë dialogu të partive politike.
Të njëjta burime konfirmojnë se Presidenti Meta nuk kishte mohuar angazhimin e tij serioz në vendosjen e dialogut të palëve edhe më herët, por një përpjekje e tillë mësohet të ketë rezultuar pa sukses.
Sikundër thuhet edhe në deklaratën e shpërndarë për mediat, Presidenti Meta ka pranuar anazhimin e tij me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo ...