Meta pranon të 'udhëheqë' tryezën e dialogut! 'Shqetësim zgjedhjet pa opozitën

2019-05-28 0

Kërkesa e aleatëve të qendrës së djathtë të Lulzim Bashës për një tryezë dialogu me të gjitha forcat politike për zgjidhjen e krizës, nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Përreth një orë në zyrën e Presidentit Ilir Meta, aleatët pas takimit me dyer të mbyllura, sqaruan publikisht se kreu i shtetit e mirëpriti kërkesën e tyre për të qenë negociator për tryezën e dialogut me krerët e partive. Në emër të aleatëve, Fatmir Mediu i Partisë Republikane, tha në një prononcim për mediat pas takimit, se Presidenti ndan të njëjtin qëndrim me ta se situata është problematike dhe se duhen bërë përpjekje për të ndalur që vendi të shkojë në përplasje të panevojshme.

"Presidenti vlerësoi kërkesën e partive tona, në vlerësim të kërkesës tonë do të marrë qëndrimet e veta në diskutim edhe me palët e tjera. Presidenti është në të njëjtën valë shqetësimi si gjithë qytetarët shqiptarë, por ka edhe angazhimin që palët të gjejnë zgjidhje për të mos shkuar në dëm të interesave të vendit", tha kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu.

Sipas kryerepublikanit, Meta tashmë do të nisë diskutimet me palët e tjera politike, e referuar kësja pritet që Meta të thërrasë në takim edhe kryeministrin Edi Rama, si kryetar të Partisë Socialiste për të rënë dakord për tryezën e dialogut nën orgnaizimin e kreut të shtetit.

Opozita tashmë jo vetëm është jashtë Kuvendit me vendimin e djegies së mandateve, por po ashtu kanë bojkotuar edhe zgjedhjet administrative të 30 qershorit 2019.

Pas takimit zyra për shtyp e presidencës zbardhi takimin ku thuhet se "ka qenë Meta që më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit. Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend.

"Nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës", thuhet në njoftim