Memaliaj/ Levë kokës pasi i ktheu shpinën, burri rrëfen se ishte ai që vrau gruan

2019-05-28 2

Krim në familje në Memaliaj. Burri ka vrarë gruan duke e goditur dhe masakruar me levën që shërbente për kazanin e rakisë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në fshatin Vagalat 25 km larg nga Memaliaj. Viktima është Antoneta Hoxha 53 vjeç, ndërsa autori i krimit, bashkëshorti Skënder Hoxha 63-vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të banesës në dhomën e gjumit të çiftit. Fillimisht çifti ka pasur një grindje, motivet e së cilës nuk dihen, ndërsa më pas situata ka agravuar dhe në një moment kur gruaja ka qenë me shpinë, burri e ka goditur me levë pas kokës, ndërsa më pas në pjesën e ballit kur është kthyer dhe në krahun e majtë. Report Tv mëson nga grupi hetimor se burri ka deklaruar se pasi e goditi me levë, gruaja i ka kërkuar ndihmë për ta shpëtuar, por Skënder Hoxha e la në gjendje të rëndë duke ndërruar jetë.

Mohimi dhe dorëzimi para grupit hetimor
Pas ngjarjes, që ka ardhur si pasojë e një sherri në familje, motivet e të cilit ende nuk dihen, burri ka lajmëruar fqinjët dhe të afërmit për ngjarjen, të cilën e ka mohuar. Hodo Hoxha, kryeplaku i fshatit thotë për Report Tv se në orën 04:00 ka shkuar në banesën e çiftit bashkë me fqinjët e tjerë ku ka parë gruan të mbuluar me gjak dhe të masakruar në kokë dhe në krahun e majtë, pasi ishte goditur me sende të forta, ndërsa burri u ka thënë që të mos e prekin se e kanë vrarë.

Por, pavarësisht deklaratës ai është shoqëruar në komisariat dhe pas disa orësh në pyetje është dorëzuar para grupit hetimor duke pranuar krimin e rëndë. Report Tv mëson se çifti kishte disa ditë që ishte ardhur në fshatin Vagalat nga kryeqyteti, ku banonin. Nuk dihet shkaku i kthimit të tyre në fshat. Çifti ka katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë. Këtë vit Shqipëria është tronditur disa herë nga krimet brenda familjes nga Tirana në Ballsh dhe Vlorë.