I fundosin përgjimet/ Burg 2 të rinjve të arrestuar për vrasjen e vëllezërve Bilali

2019-05-28 0

dy të arrestuarit për vrasjen e vëllezërve Bilali më 30 mars, kanë mohuar lidhjen me ekzekutimin mafioz të ndodhur në Shkodër, por i fundosin përgjimet ambientale. Arsen Stojku dhe Milsim Rama, 29 dhe 23 vjeç, të dy banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës dolën sot para gjykatës për t'u njohur me masën e sigurisë, ndërsa janë lënë në burg pa afat. Pala mbrojtëse kërkoi një masë më të lehtë, por gjykata e rrëzoi duke i lënë në qeli.

Dy të rinjtë kanë mohuar që të kenë lidhje me vrasësin e vëllezërve Astrit dhe Brahim Bilali. Por gazetari i Report Tv në Shkodër, Ergys Kavaja shprehet se bazuar te burimet e tij, ka përgjime ambientale që hedhin poshtë pretendimet e dy të rinjve, që vërteton se kishin dijeni për vrasjen. Ekzekutori kryesor që qëlloi ndaj tyre, është ende në kërkim, Ibrahim Lici, i cili dyshohet se nuk është larguar jashtë vendit, por ndodhet në Shkodër.

Pas atentatit të vëllezërve Bilali që u vranë në derën e shtëpisë në lagjen "Kiras", policia gjeti ende të padjegur përfundimisht makinën e parë me të cilën u arratisën autorët. Aty dyshohet të jenë gjetur edhe gjurmët që i lidhin dy të arrestuarit me krimin e rëndë. Report Tv mësoi se para hetuesve, Arsen Stojku dhe Mislim Rama që kanë lidhje farefisnore me fisin Lici, thanë se vetëm e kanë lyer makinën, por nuk kanë lidhje me vrasjen.

Ata janë nën akuzë si bashkëpunëtorë në vrasje. Astrit Bilali ishte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit "Bajri" në Shkodër, ndërkohë që grupi kundërshtar i tyre janë Licajt. Brahim Bilali ishte drejtues i shoqatës "2 Prilli". Ibrahim Lici është nipi i Fatbardh Licit i vrarë më 8 gusht 2018 dhe djali i Mustafë Licit, anëtar i këshillit bashkiak në Shkodër dhe drejtues i partisë Mendimi i Djathtë Liberal. Nga ana tjetër viktima Fatbardh Lici është kunati i Lulzim Kullës, biznesmenit të njohur ndaj të cilit u bë atentat më 13 janar të vitit të kaluar me lëndë shpërthyese ku mbeti i plagosur.