Report TV - Intervista/ Topollaj: Ja pse Bindja Demokratike ka frikësuar Bashën

2019-05-28 1

Fabian Topollaj, në një ndër themeluesit e Partisë Bindja Demokratike, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka hedhur poshtë aludimet e segmenteve politike, sipas të cilave partia e re në kampin e djathtë është produkt i kryeministrit Edi Rama apo lojë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Topollaj tha se të dy palët, si PD-ja ashtu edhe PS-ja, gënjejnë, ndërsa shtoi se ?Bindja? është kundër dinozaurëve që kanë ndërtuar sistemin aktual. I pyetur mbi sulmet e PD në adresë të Bindjes Demokratike, Topollaj u shpreh se PD dhe Lulzim Basha janë të frikësuar se mos humbasin pozitën si opozita kryesore në vend. Topollaj komentoi edhe pretendimin e disa qytetarëve se u janë falsifikuar firmat sa i takon shprehjes së vullnetit për regjistrimin e Bindjes Demokratike në gjykatë. Topollaj tha se këta qytetarë kanë firmosur për regjistrimin e ?Bindjes? në gjykatë, por ata janë kërcënuar nga drejtuesi i Bashkisë Kavajë që të deklaronin të kundërtën, ndryshe humbasin vendin e punës si specialistë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

-Z. Topollaj, krijimi i Bindjes Demokratike ka trazuar politikën e Tiranës, sidomos kampin e djathtë. Përfaqësues të opozitës joparlamentare pretendojnë se krijimi i partisë së re është nxitur nga Rama, madje se është lojë e tij, ndërsa vetë kryeministri thotë se partia është krijuar nga Berisha. Cili është komenti dhe versioni juaj si një ndër themeluesit e Bindjes Demokratike?
Bindja Demokratike ka trazuar ujërat në të gjithë krahët pikërisht për shkakun e qëllimit të krijimit të saj. ?Bindja? vjen si nevojë e kohës për të ndryshuar më shumë se sa vetëm një parti në qeverisje me një parti tjetër. Qëllimi i ?Bindjes? është të ndryshojë sistemin politik në vend. Pra, për të ndryshuar sistemin e partitokracive në vend. Të gjitha pushtetet në fakt nuk i ka populli, por kryetarët e partive. Formalisht populli mban sovranitetin, por faktikisht sot nuk përzgjedh asgjë. Ne do rrëzojmë këtë domen të partive. Sa për atë se kush e ka futur ?Bindjen?, besoj se të dy palët gënjejnë njësoj si në çdo gjë, sepse bindja është kundër dinozaurëve që kanë ndërtuar këtë sistem.