Rama: Zgjedhjet pa opoziten anormale, por jo faji yne

2019-05-28 1

Edhe Edi Rama thotë se bie dakort me këdo që zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozites nuk janë normale. Por ai heq çdo përgjegjësi të mazhorancën në këtë vendimmarrje të partive të opozitës dhe thotë se 30 Qershori është një datë e pandryshueshme për zgjedhjet lokale.

"I mirëkuptoj të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne se zgjedhjet pa ta janë anormale. Po kjo nuk është zgjidhja jonë. Ne në këndvështrimin tonë kemi bërë gjithçka që kjo mos të ndodhë. Mund të bënim me shumë mbase po nuk e di çfarë mund të bënim më shumë. Askush mos ta harrojë se jemi ne që e kemi dhënë provën se mes një pale zgjedhjet pa të dhe me të kemi pëlqyer të dytën dhe kemi sakrifikuar politikisht ta bëjmë këtë".

Kërcënimeve të opozitës se nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve ju përgjigjet duke lexuar Kodin Penal dhe ato që parashikohen në të për këdo që ndërmerr hapa të tillë.

Demokratët që e akuzojnë se për shitblerje votash ju kujton hallin e përbashkët në zgjedhjet e 2017, frikën nga vjedhja e votave nga ish-aleatët e LSI.

"Si të ruajmë votat se na i vjedh fallxhorja. Ne hallin më të madh kishim simotrën tonë. Bëjmë një provë të mos hyjë LSI një palë zgjedhje dhe ta shikoni s'ka vjedhje votash".

Por kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari i kërkon Kryeministri të lërë mënjanë batutat dhe të përballet me realitetin e ri parlamentar dhe të fokusohen tek ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Kryeministri hedh poshtë çdo zë që e lidh atë me krijimin e partisë së Astrit Patozit dhe thotë me bindje se pas Bindjes Demokratike është ish-Kryeministri Berisha.

Në fjalimin e tij përpara Parlamentit, Rama foli gjatë dhe hodhi poshtë akuzat për arrogancën qeveritare, që sipas tij nga shumëkush ngatërrohet me vendosmërinë e kësaj qeverie për t'i shkuar deri në fund reformave.