Report TV - Ngërçi në Kushtetuese, kreu i KED: Brenda majit listat në parlament

2019-05-28 0

Brenda muajit maj nëse institucionet si tatimet, doganat, bankat apo autoriteti i dosjeve do të kthejnë përgjigjet në kohë për kandidatët në garë për Gjykatë Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë atëherë parlamentit do t'i shkojnë emrat për votim. Këtë afat e bëri publik kreu i këshillit të emërimeve në drejtësi Ardian Dvorani gjatë një tryeze për monitorimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

"Kjo shpejtësi do të varet në mënyrë vendimtare nga angazhimi, përgjegjshmëria dhe shpejtësia e reagimit të institucioneve publike të ngarkuara me detyra kontrolli si dhe nga subjektet private veçanërisht të sistemit bankar, shoqërive financiare etj. Nëse ato do t'i përgjigjen kërkesave të Këshillit, për të dhënë informacion lidhur me kandidatët, jo vetëm me saktësinë dhe cilësinë që kërkon ligji, por edhe në kohën më të shpejtë të mundshme, edhe këshilli do të ketë mundësinë që në javët e ardhshme, pse jo edhe brenda muajit maj, të dërgojë para Kuvendit dhe Presidencës, listën e kandidatëve mes të cilëve këto institucione janë të detyruara të zgjedhin Gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë", tha Ardian Dvorani.

Aktualisht pranë KED janë duke u kryer verifikimet për mbi 40 kandidatë të cilët kanë shfaqur interes të jenë pjesë e gjykatës kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Ndërsa e pranishme në këtë aktivitet kryeprokurorja Arta Marku u shpreh se ishte vendimi i gjykatës kushtetuese që solli konfuzion pasi në këtë periudhë tranzitore kur mungon ILD magjistratët nuk ka kush i kontrollon.