Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj vlerësoi punën e Policisë së Shtetit në zbardhjen dhe vënien para drejtësisë të një pjesë të mirë të të përfshirëve në grabitjen e ndodhur më 9 prill në aeroportin e Rinasit. Një bandë nga më të rrezikshmet me të cilat Policia është përballur, e cilësoi ministri grupin që grabiti rreth 6 milionë euro në pistën e avionëve brenda aeroportit. Drejtuesi i grupit, që dyshohet të ketë qenë Admir Murataj u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë pas grabitjes, ndërsa Lleshaj sot në fjalën e tij në Kuvend, përmendi rrezikshmërinë që përfaqëson kjo bandë. Thyerje burgjesh, vjedhje bankash, sulme me armë ndaj policisë, dhe lidhje të dokumentuara sipas tij me celula të rrezikshme terroriste. Përkundër kësaj, ministri i Brendshëm tha se policia arriti të zbardhë në mënyrë shteruese përbërjen dhe veprimtarinë e tij grupi.
Duke u ndalur tek sulmi që opozita tashmë jashtë Parlamentit, i bën punës së policisë, Lleshaj tha se arsyeja e kësaj goditje është frika nga reforma në drejtësi. Ish-kryeministrit Sali Berisha i cili i doli në mbrojtje të arrestuarve për grabitjen në Rinas, Lleshaj ju drejtua me personazhin e Ismail Kadarese, Haxhi Mileti.
"Sulmi ndaj policisë së shtetit është shenjë e këtij dëshpërimi të madh në përpjekjenj për të mbijetuar në kushtet e një reforme që e bën të vështirë mbijetesën e atyre që kane borxhe me ligjin
Jo vetëm sulme me fishekzjarrë me gurë, por edhe verbale që nuk po pushojnë edhe në rastet kur policia shënon suksese. Rasti i Rinasit është vetëm njëri prej tyre. Në një hark të shkurtër kohor pas një sulmi në Rinas, policia arriti të zbardhë shumë shpejt në mënyrë shteruese të provojë me dëshmi, me prova materiale, prova shkencore, një vepër të rëndë kriminale që me të drejtë ka tronditur një pjesë të opinionin publik.
Edhe në këto kushte vijon një sulm që po kryesohet nga një person që unë i kam vënë një emër, Haxhi Mileti. Ata që e kanë lexuar Kadarenë e dinë kush është Haxhi Mileti.