Trofeu i festivalit të vokalit operistik "Marie Kraja", në këtë edicion të 17, udhëton drejt Koresë së Jugut. Tenori Dongo Kim triumfoi mes 15 konkurentëve nga e gjithë bota.
"Nuk e besoj dot akoma, sepse të gjithë konkurrentët ishin shumë të fortë dhe unë sot nuk isha në formën time të mirë", tha Kim.
Vendi i dytë shkoi për mexosopranon nga Turqia, Ezgi Karakaya. Ndërsa çmimi i tretë u nda mes sopranos shqiptare Nina Muho dhe tenorit tjetër turk Faik Mansuroglu. Çmimi për këngën më të mirë i takoi rusit Kirill Matveev.
Sipas themelueses së festivalit, Zana Çelës, juria ndërkombëtare kryesuar nga Nicolas Payne, drejtor i opera Europa, nuk e pati aspak të lehtë ndarjen e çmimeve.
"Ishte një edicion i shkëlqyer. Këngëtarët ishin të gjithë të niveleve tejet të larta. Për ne si juri ishte shumë e vështirë të zgjidhnim se kush ishte më i miri, por patjetër Dongo Kim ishte 'the best', nivel shumë i lartë", tha Çela.
Me prezencën edhe të të ftuarve special, të tillë si tenori me famë botërore Murat Karahan dhe virtuozit të violinës Elvin Hoxha, nata finale e festivalit "Marie Kraja" u mbyll me ovacionet e shumta të publikut në sallën e Qendrës Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë.
Tv Klan