Report TV - Balla takim me fermerët në Elbasan: Mos paguani asnjë rryshfet

2019-05-28 0

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte ditën e sotme në Elbasan ku u takua me fermerë lidhur me aplikimet për përfitimin e subvencioneve në bujqësi.

Në rolin e drejtuesit politik të Qarkut të Elbasanit ai siguroi fermerët për efikasitetin e skemës dhe reduktimin e burrokracirave dhe kërkoi prej tyre denoncimin e çdo rasti kur punonjësit kërkojnë rryshfet për të ndihmuar gjatë procesit të subvencionit.

"Arsyeja pse ju kemi mbledhur bashkë, fermerë dhe punonjës shteti është sepse këta duhet të jenë avokatët tuaj, t'ju shërbejnë që tek grumbullimi i dokumentacionit e deri tek marrja e pagesës.

Pres sot të drejtoni edhe gishtin e të më thoni që, ky punonjës më ndihmoi të bëja dokumentacionin, por më kërkoi 10 apo 20%, siç ka qenë para dy viteve. Dhe një punonjës i tillë jo vetëm do të hiqet nga administrata e shtetit, por do të çohet për ndjekje penale.

Viti 2018 ishte eksperienca e parë e një ndryshimi rrënjësor. Historia e AZHBR-së ka qenë një histori e zezë, e errët, ku buxheti i vitit 2017 i të gjithë AZHBR-së shkoi në një qark të vetëm.

Unë jam i qetë kur informohen sot që janë rreth 500-600 fermerë të Elbasanit që janë përfitues, që janë 0.7 milionë euro, që i bie diku tek 900 milionë lekë të vjetra të shpërndara tek fermerët tanë dhe kjo është një gjë shumë e mirë.

Detyra jonë kjo është, Shqipëria e vërtetë kjo është. Nuk është Shqipëria ajo që mblidhet një herë në muaj dhe bën xhiron e pasdites, pastaj hedhin ca bojë tek institucionet e shtetit, atë punë kanë ata. Ata janë grenzat, në jemi bletët, nga grenzat nuk ka hajër njeri, ne të merremi me bletët", deklaroi Balla.

Ndërsa përfaqësuesja e AZHBR, Jolanda Shtini në fjalën e saj theksoi se procedurat e lehtësuara po u vijnë në ndihmë fermerëve, ku vetëm në vitin 2018 në qarkun e Elbasanit përfituan rreth 600 femerë.