Rikthehet qarkullimi normal në autostradën Elbasan-Tuneli i Kërrabës-Tiranë pas përfundimit të tunelit në Mamël. Ndërtimi i këtij gjysmë tuneli eliminon pasojat e rrëshkitjes së shpatit të malit në segmentin Elbasan-Kërrabë, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan. Puna për eliminimin e rrëshkitjes nisi në Shtator 2018 pas miratimit të projektit teknik nga ARRSH.
Ky segment lidh kryeqytetin me Elbasanin dhe është 31 kilometra rrugë duke shkurtuar kohën krahasuar me rrugën e vjetër nga Qafë Kërraba me 50 minuta. Pas rrugës së Kombit kjo autostradë është cilësuar si vepra e dytë më e madhe në vendin tonë.
Aksi Elbasan Tiranë ishte parashikuar të hapej brenda vitit 2014. Por, gjatë ndërtimit, projekti rezultoi me probleme për shkak të rrëshkitjes së dheut në një zonë me gjatësi 4 kilometra rreth Ibës dhe Mulletit. Në mesin e marsit autostrada u hap me një korsi, ndërsa në 17 maj është premtuar të hapet plotësisht.