Report TV -Meta ktheu vettingun në polici, Lleshaj: Argumente jo ligjorë

2019-05-28 0

I ftuar në emisionin "Repolitix" në Report Tv, ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, komentoi vendimin e presidentit Ilir Meta për të kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit, duke thënë se argumentet e tij janë të gjetura, presidenciale, dhe jo ligjore. Përballë moderatorit Denis Minga, ministri Lleshaj tha se është një frymë që çdo iniciativë e qeverisë duhet të kundërshtohet. Lleshaj shtoi se nga ligji i vjetër nuk është ndryshuar asgjë në thelbin e procesit të fundit.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se është hequr kufizimi kohor për kryerjen e vettingut për shkak të numrit të lartë të punonjësve që do të duhet të kalojnë këtë proces.

"Argumente presidencial shumë interesantë, por jo ligjorë. Presidenti ka kompetencë ta kthejë ligjin, ndërsa argumentet janë presidenciale. Shqetësimi kryesor është qeveria, ndërkohë që qeveria është autoriteti përgjegjës për ta realizuar vettingun. Një frymë që mbërrin në kufijtë e të paarsyeshmes, ku gjithçka që vjen nga qeveria është problem. Vetting do të duhej të kishte cdo organizëm i gjallë, në cdo institucion duhej të kishte vetting. Është një proces i përhershëm. Ku ka një strukturë një organizatë ajo duhet të pastrohet. Kjo është në frymën e gjithë procesit që po ndodh me reformën në drejtësi.

Nuk është hequr struktura e jashtme e vettingut, ajo merret nga fillimi në fund të procesit. Komisioni i jashtëm bën vettingun e majës së policisë së shtetit, gardës dhe SHCBA-së. Ky komision zgjerohet duke krijuar komisionin qendror që bën vettingun e nivelit të mesëm. Pjesa e jashtme plus pjesën që u shtua i shtohet edhe një kontigjent nga ata që vetohen dhe bën vettingun e gjithë strukturës.

Faza 1- Komisioni i jashtëm

Faza 2 - Shtohen përfaqësues nga Policia dhe Garda dhe SHCBA që kaluan vettingun nga Komisioni i Jashtëm

Faza 3 - Shtohet mbi 200 veta, dhe në çdo proces, Komisioni i Jashtëm është pjesë e strukturës.

Janë argumente të gjetura, sepse nuk ka ndryshuar asgjë në thelbin e vettingut", tha Lleshaj.

"Ne kemi dyshime që mund të kemi probleme në policinë e shtetit, por jo kriminelë. Ftoj këdo ta mendojë qoftë edhe një moment pa policinë Shqipërinë", shtoi ministri.

Free Traffic Exchange